Harta e vetes, ndryshimi i bindjes

Ndryshimi i bindjes Në bazë të bindjeve që i kemi të instalume prej familjes, rrethit e shoqnisë, ne e ndërtojmë jetën tonë. Kështu nëse kemi frikë nga lartësia, gjatë gjithë jetës kemi me ba zgjidhje (me ose pa vetëdijen tonë), të cilat na qojnë në situata në të cilat i shmangemi lartësive. Si p.sh. banojmë në kate përdhese, punojmë në zyrën në katin e parë, preferojmë detin e jo malin… e kështu me radhë.

Sistemi i bindjeve është sikur sistemi operativ i kompjuterit – i menaxhon proceset dhe komunikimin.  Ndërsa, truri si organ kompleks i ekzekuton të gjitha bindjet në mënyrën ma të sofistikume të mundshme. Shtrohet pyetja: a dëshirojmë me e përdor trurin vetëm si vegël të sofistikume që e ekzekuton programimin tonë (të cilin në një pjesë të madhe e kemi “shkarku” prej të tjerëve), apo dojmë me e përdor trurin si aleat tonin, që i shërben mirëqenies dhe përparimit tonë intelektual, shpirtëror e emocional?

Ndryshimi i bindjes Në një vend si Kosova, ku viktimizimi ka qenë (edhe fatkeqësisht vazhdon me mbet) gjendja dominante për pjesën ma të madhe të shoqnisë, nuk është e lehtë me e konceptu faktin se ne jemi përgjegjës për realitetin tonë. Çkado që përjetojmë brenda realitetit fizik 3D ku jetojmë, është projektim që ndodh brenda nesh. Andaj, e vetmja mënyrë për me pa botën, njerëzit, rrethanat ashtu si duam ne, është jo t’u i ndryshu ato, por t’u e ndryshu veten.

Në bazë të bindjeve që i kemi, truri jonë i “sjell” mendimet e njejta, e si rezultat i këtyre mendimeve ne i përsërisim edhe veprimet e njejta.  Pra, relacioni: bindje-mendim-veprim është një qark i mbyllur që përsëritet sa herë që kalojmë situata të cilat e “prekin” bindjen tonë bazë.  E hapi i parë drejt përparimit vjen kur e kuptojmë se ne si qenie njerëzore kemi mundësi me pa përtej asaj që shohim dhe me i shty limitet e asaj çka është e mundur.

Ndryshimi i bindjes Kur gjendemi në një situatë gjatë së cilës përjetojmë një emocion të fortë negativ, atëherë është momenti më i mirë për me gjet bindjen tonë negative limituese. Më poshtë është përshkru procesi i gjetjes së bindjes bazë dhe ndryshimit të saj.

Kështu nëse gjendeni në një situatë ku ndjeni shumë frikë nga dështimi, reaksioni i pritshëm emocional i juaji do të jetë: “Kam frikë se kam me dështu”. Bindjen bazë që e ka shkaktu këtë reaksion emocional tuajin mundeni me e gjet duke gjurmu më thellë. Parashtrojani vetes këtë pyetje: “Pse do të ishte keq për ty nëse dështon?”. Përgjigja që mund ta merrni mund të jetë: “Nëse dështoj, do të ndihem si budallë”. Vazhdoni dhe gjurmoni edhe më thellë duke vazhdu me ja ba vetes të njejtën pyetje: “E pse do të ishte kjo keq për ty?”. Përgjigja në vazhdim e juaja mund të jetë: “Të tjerët do të mendojnë se jam budallë”. Bindja “budallë” mund të jetë njëra prej bindjeve bazë që e keni (kujtoni fëmijërinë dhe sa herë e keni dëgju këtë fjalë). Vazhdoni edhe më tutje në kërkim të bindjes tjetër bazë: ”E pse do të ishte kjo keq për ty?”. Përgjigja që mund t’iu vie, mund të jetë: “Nëse mendojnë se jam budallë, atëherë ata do të më përjashtojnë nga rrethi i tyre”. Vazhdoni me pyetjen: “Si do të ndihesh nëse ata të përjashtojnë nga rrethi i tyre?”. Përgjigja që do të mund ta merrni do të ishte: “Do të ndihem i/e vetmuar”. Pastaj vazhdoni me pyetjen: “Po pse do të ishte keq për ty me qenë i/e vetmuar?”.  Përgjigja mund t’iu vie: “Nëse jam i/e vetmuar, nuk do të jem i/e lumtur”. Kjo është bindja e dytë bazë që e keni gjet, dhe e cila ju ka shkaktu emocionin negativ / frikën nga dështimi: “Nëse jam i/e vetmuar, nuk do të jem i/e lumtur”. Tash, observoni veten se cila bindje po peshon më shumë për juve (cila po ju bën të ndiheni më keq): “Unë jam budallë” apo “Nëse jam i/e vetmuar, nuk do të jem i/e lumtur”. Ajo që peshon më shumë, ka efekt më të madh negativ tek ju dhe duhet ndryshuar.

4-4Përgjigjet që mundeni me i gjet gjatë këtij gjurmimi janë individuale. Pra, si një degë e pemës që lidhet me degën kryesore, trungun dhe në fund rrënjën. Secila përgjigje është një degë më afër rrënjës, ndërsa bindja bazë është vet rrënja. E ne jemi në kërkim të rrënjës që e ka shkaktu këtë bindje limituese (bindje), si rezultat pasues i se cilës kemi pas mendime negative për veten (mendime), e të cilat mendime kanë shkaktu një emocion negativ (veprimi).

Pasi t’i keni izoluar këto bindje negative limituese, vazhdoni me procesin e ndryshimit të tyre. Hapi i parë, ndryshoni këndvështrimi tuaj, prej gjendjes së besimit në atë bindje, te gjendja e observimit të asaj bindje. Në shembullin tonë, bindjen “Nëse jam i/e vetmuar, nuk do të jem i/e lumtur”, zhvendoseni prej besimit absolut drejt një observimi të thjeshtë, ashtu si kishit me shiku për dikë tjetër.

Hapi i dytë, gjeni argumente të cilat e kundërshtojnë bindjen tuaj. A njihni dikë që është i lumtur edhe nëse është i vetmuar? Mesiguri po. Bile shumica e atyre që janë vërtetë të lumtur e kanë gjet lumturinë larg njerëzve. Atëherë çka ka të keqe me të qenurit vetëm? Unë mund të jem i/e lumtur, edhe kur nuk jam e  rrethuar me të tjerët. Pra, “unë mund të jem i/e lumtur edhe kur jam vetëm.

Në rastin e bindjes “Unë jam budallë”, kthehuni prapa në kohë dhe kujtoni kur e keni marrë këtë bindje nga prindi, familiari apo shoku juaj. A ju kujtohet pse? Ndoshta sepse ai vet ka pas probleme me vetbesimin. Apo ju keni ba ndonjë gabim të randë. Po nëse keni gabu, çka ka lidhje? Të gjithë njerëzit gabojnë, apo jo? Tash, kthejeni këndvështrimin te të gjitha punët që i keni kry me sukses:  “kam mbaru shkollë, kam punu, i kam ndihmuar të tjerëve… etj”.  A e shihni se sa punë të mira dhe me vlerë keni bërë deri sot? Pra, “unë jam i/e zgjuar”.

Ndryshimi i bindjes.Pasi t’i “mundni” të gjitha argumentet që e “mbajnë në këmbë” bindjen tuaj limituese, nuk do t’a ndjeni më peshën negative të asaj bindje që e kishit në fillim. Sa ma shumë argumente që i gjeni (pro bindjes së re pozitive) dhe i ndjeni ato, aq ma shumë ka me ju zbeh bindja negative që kishit në fillim. Ky proces duhet të përsëritet derisa truri të ketë kriju një lidhje të re nervore, e cila ka me kriju një këndvështrim pozitiv komplet të ri.

Kur truri e krijon një rrugë të re, atëherë nuk do të kemi më frikë as nga lartësia. Sepse, lartësia si koncept më së pari është formësu në trurin tonë. E tash në vend të saj është kriju një rrugë e re nervore, e cila na bënë të ndihemi mirë edhe kur fluturojmë në lartësi.

 

Photo Credits:
https://www.pinterest.com/busyme2/the-life-of-brain/
http://onebighappyhome.com/2014/04/14/youve-got-perceptions-and-ive-got-reality/
http://www.mobofree.com/other/forum/47442/What-s-the-biggest-personal-change-you-ve-ever-made?page=1
http://arborwood.ca/blog/photo/xlarge/20
http://mich-mash.com/conquering-my-fear-of-heights/

One thought on “Harta e vetes, ndryshimi i bindjes

  1. Nora says:

    Bookmark this article! E kemi të domosdoshme ta lexojmë secili prej nesh këtë artikull së paku një herë në ditë, për me i ndryshu disa koncepte që na i kanë bart familja dhe shoqëria.
    Pikërisht për këtë sqarim kam pas nevojë. 🙂

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *