8 Marsi & Feminiteti

Sa herë që vjen 8 Marsi, mendimi i parë që më asocion me këtë datë lidhet me fjalët: nënë, grua, lule, sakrificë, shtypje, e së fundi edhe me termin FEMINITET.

E rritur në një ambient si Kosova në vitet 80-90, me vëllaun dy vjet më të madh se unë, që për shkak të moshës si në aspektin fizik ashtu edhe intelektual më është dasht shumë energji për me konkuru me të në çdo aspekt (prej lojës së shahut, lojërave kompjuterike, tenisit, ping-pongut e deri te boksi e loja msheftas), prej fillimit të fëmijërisë kam “mësu” se vetëm me punë, përkushtim dhe luftë mundesh me mbërri diçka në jetë. Më vonë, në shkollë si një nxënëse ambicioze, jam mundu me qenë e para në klasë, e me ç’rast duke e shtyp feminitetin tim, e kam forcu energjinë mashkullore e cila më ka ndihmu me arrit “sukses” duke konkuru me të dyja gjinitë. Ky avaz ka vazhdu edhe në gjimnaz, e pastaj në fakultet ku rreth 90% e kolegëve kanë qenë meshkuj, e më vonë edhe në punë, ku si profesion kisha zgjedh një lëmi që më shumë është marrë si “punë meshkujsh”. Shoqnia jonë ka vepru (edhe fatkeqësisht vazhdon ende me funksionu) mbi modin e mbijetesës, andaj energjia mashkullore është vlerësu më së shumti. Sepse pa të, nuk ke pas mundësi me mbijetu. Po ajo që ka mungu është edukata dhe njohja e vërtetë e feminitetit.

Feminitet nuk është me shku te frizerja edhe me u dok bukur vetëm prej së jashtit. Feminitet është energjia me të cilën shprehesh çdo moment, dashnija të cilën e përçon prej zemrës, kreativiteti me të cilin e shpreh origjinalitetin tand, kujdesi dhe ndjeshmëria ndaj vetes dhe të tjerëve.

Sa më shumë që kam fillu me e njoft veten, aq më shumë jam lidh me energjinë time femërore. E kam zbulu brenda vetes dashninë, intuitivitetin, kreativitetin, kam fillu me i kushtu rëndësi aspektit tim emocional, me e pranu jetën dhe botën ashtu siç janë, pa kushte dhe imponime.

Në aspektin e vetëdijes, feminiteti e tejkalon modin e mbijetesës. Sepse, të jesh kreativ e të kesh dashni për botën, dhe çdo gjë që frymon jetë – është nivel që e tejkalon nevojën për mbijetesë, siguri e fuqi. Por, shikuar në aspektin universal, te dy këto energji: mashkullore dhe femërore janë të rëndësishme, sepse janë komplementare dhe e përbëjnë një tërësi të vetme. E çka është më me rëndësi, balansi i këtyre dy energjive, i jep mundësi njeriut me jetu një jetë të kënaqshme, të përmbushur dhe të balansuar.

E vërteta është se vetëdija dominante njerëzore ka qenë e fokusuar në stadin e mbijetesës, pra në energjinë mashkullore. Ndërsa, gabimi më i madh që mundemi me e ba sot është me e shiku të kaluarën tonë prej perspektivës së viktimizimit.  Ky është një kurth që nuk duhet me ra askush prej nesh. E sidomos ne femrat. Po, është e vërtetë që femra ka qenë e shtypur në shoqni, është e vërtetë që shoqnitë tona janë ende patriarkale. Po në vend me e “luftu” këtë dukuri përmes mënyrave që vënë në lëvizje energjitë tona mashkullore, të ulemi dhe të reflektojmë mbi veten tonë së pari. Sa e njohim, sa e duam, sa e pranojmë veten ashtu siç jemi? Sa jemi të gatshme me e pranu të vërtetën rreth shtypjes, mohimit që ja kemi ba ne vet feminitetit tonë, duke e justifiku atë me vetëdijen dominante patriarkale? Sa jemi të gatshme me ju kthy origjinalitetit tonë, me u shpreh lirshëm, pa marrë parasysh “investimit” tonë, të kushtëzuar nga shoqëria apo familja? Nëse nuk e bëjmë këtë, si mund të presim respekt, barazi e sidomos dashni prej të tjerëve?

Kur jemi te suksesi, mendoni për një moment për një femër që ju e konsideroni të sukseshme! Uroj që kjo të mos jetë ndonjë femër politikane. A e keni vërejt sa shumë energji mashkullore përçojnë femrat që merren me politikë sot? Më shumë feminitet ka kryeministri kanadez Justin Trudeau, se sa Angela Mekel ose Hillary Clinton. Kjo sepse, politika dhe pushteti janë të ndërtuara (dhe konceptuara) mbi bazën e fuqisë, frikës dhe dhunës. E si mund të jesh udhëheqës, pa i pasur këto elemente? Po udhëheqëse femër, edhe më vështirë! Do të duhet shumë e më shumë energji mashkullore, përndryshe nuk mund të mbijetosh në atë ambient.

Uroj që kriteri i suksesit të një femre në shoqninë tonë, të mos matet më me energjinë mashkullore të saj, po me atë që buron thellë prej esencës së saj – energjinë femërore. E kjo është pika kyçe që kish me i dhanë kahje paqësore njerëzimit. Balansimi i energjisë mashkullore-femërore, i duhet më së shumti se kujtdo tjetër vet femrave, po aq edhe meshkujve dhe gjithë njerëzimit. Sepse të gjithë ne, femra e meshkuj kemi ardh në këtë botë me mësu, me i tejkalu limitet tona, e bashkarisht me e ndërtu një botë më të mirë, më paqësore dhe të lumtur për të gjithë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *