Një nga mendjet më të ndritura që ka pas ndonjëherë raca njerëzore, padyshim se është ajo e Leonardo Da Vincit. Në librin “Leonardo Da Vinci” të biografistit të njohur Walter Isaacson përshkruhen shumë cilësi të Da Vincit, prej gjenialitetit të tij e deri te thjeshtësia e të qenurit njeri i zakonshëm.

Edhe pse njihet si autor i pikturave më të famshme në histori (“The Last Supper” dhe “Mona Lisa”), Leonardo Da Vinci veten e konsideronte si njeri të shkencës dhe inxhinierisë. Aftësia e tij për të kombinuar shkencën dhe artin, teknologjinë dhe shkencat humane, padyshim se e bënë atë një gjeni të pakrahasueshëm në historinë njerëzore.

Leonardo Da Vinci nuk kishte shkollë (mezi lexonte latinisht), por posedonte një mendje të jashtëzakonshme imagjinative, një kuriozitet të pafund për gjithçka që e rrethonte, aftësi multidiciplinare dhe ndërlidhje brilliante të këtyre njohurive nga fushat e ndryshme.

Disa prej veçorive më të spikatura të tij janë:

  • Kurioziteti me njoft edhe me kuptu se si funksionojnë gjanat – në shenimet e tij, janë gjetura detyra/pyetje që Leonardo ja bënte vetes, si për shembull: “Si e ka gjuhën qukapiku?”
  • Aftësia e observimit (“See the Things that are Unseen”)
  • Të vëzhguarit në detaje – në shënimet e tij, Leonardo tregonte si duhej vëzhguar diçka me kujdes: “Bëjeni në hapa, duke filluar me çdo detaj”.
  • Të bazuarit në fakte – Leonardo njihej për eksperimentet vëzhguese dhe mendimin kritik. Ai i testonte idetë që i vinin. Dhe kur përvoja tregonte se një teori ishte e pasaktë (siç ishte besimi i tij se pranverat për tokën ishin sikur enët e gjakut për trupin e njeriut) – ai e braktiste teorinë e tij dhe kërkonte një të re.
  • Puna deri në perfeksion – në shenimet e tij janë gjetur 169 tentime për ta vizatuar rrethin.
  • I hapur ndaj misterieve – si mendje hapur që ishte, besonte se jo çdo gjë në jetë ka nevojë për vija të mprefta.

Kulmi i kombinimit të artit, shkencës, optikës dhe iluzionit ishte buzëqeshja e Mona Lizës, të cilën ai filloi ta pikturonte më 1503. Leonardo Da Vinci studioi anatominë e njeriut, duke prerë fytyra, përcaktuar muskujt që lëvizin buzët dhe e kombinoi atë njohuri me shkencën se si retina përpunon perceptimet. Ai kalonte netë në morgun e Spitalit të Santa Maria Nuova, pranë studios së tij në Firencë, duke hequr lëkurën e kufomave dhe duke studiuar muskujt dhe nervat e fytyrës. Leonardo Da Vinci u magjeps nga mënyra se si formohet buzëqeshja dhe analizoi çdo lëvizje të mundshme të secilës pjesë të fytyrës për të përcaktuar origjinën e çdo nervi që kontrollon secilin muskul të fytyrës. Rezultati i kësaj pune ishte një kryevepër që fton dhe u përgjigjet ndërveprimeve njerëzore, duke e bërë Leonardon një pionier të realitetit virtual.

“Gjenitë ndonjëherë arrijnë më shumë kur punojnë më pak, sepse mendjet e tyre janë të zëna me idetë dhe përsosmërinë e koncepteve të tyre, të cilave ata më pas i japin formë.” 

~ Leonardo da Vinci


0 Comments

Leave a Reply

Avatar placeholder

Your email address will not be published. Required fields are marked *