Në bukurinë e krijimit mistik të çdo gjëje, feminiteti nuk është thjesht një gjini apo rol – por është një forcë e natyrës, një energji e shenjtë që rrjedh brenda nesh. Pavarësisht se cilës gjini i takojmë (femër ose mashkull), ne të gjithë bartim përbrenda feminitetin hyjnor, që është një energji e fuqishme krijuese dhe intuitive që na lidh me të gjithë krijimin. Në formën e saj më të pastër, energjia femërore është një kanal i fuqishëm për rritje e transformim, një forcë që pavarësisht se nuk ka frikë të jetë e pambrojtur, gjithmonë është e aftë për ripërtrirje dhe rilindje.
Feminiteti nuk ka të bëjë me dobësinë, manipulimin apo nënshtrimin. Ka të bëjë me përqafimin e fuqisë intuitive, njohjen e lidhjes tuaj të thellë me Tokën & Gjithësinë, e mbi të gjitha dorëzimin te një forcë shumë më e Madhe dhe jo në kufizimet e egos.
Feminiteti Shpirtëror është i rrënjosur në intuitën, në të padukshmen, në aftësinë për të kuptuar përtej asaj që shihet me sy dhe të analizohet me mendje. Intuita është një dhuratë që i njeh të vërtetat më të thella, që na udhëheq drejt rrugës sonë të vërtetë. Pavarësisht faktit se bota moderne ende vlerëson më shumë intelektin se sa intuitën, kjo e fundit di të hap dyer që mund të transformojnë jo vetëm jetën tonë, por edhe botën përreth.
Liria nuk vjen vetëm nga çlirimi i mendjes; por edhe i shpirtit. Feminiteti Shpirtëror arrihet pas lirimit të paternave, kushtëzimeve, frikërave dhe pritshmërive nga mendimet e të tjerëve. Duke u zhytur kështu brenda vetes tonë hyjnore për tu ndjerë të përmbushur dhe të kompletuar, për të shprehur lirshëm thelbin tonë të vërtetë.
Për ta kyçur fuqinë e feminitetit shpirtëror, së pari duhet t’i shërojmë plagët emocionale e shpirtërore të së kaluarës. Dhe atë jo vetëm tonat. Sepse shpirti femëror ka qenë i plagosur gjatë gjithë historisë – duke qenë i ndrydhur, i keqkuptuar dhe shpesh i keqtrajtuar. Për të shëruar shpirtin femëror, duhet të lirojmë fajin, turpin dhe frikën që janë përcjellë brez pas brezi. Ky proces nuk ka të bëjë me rregullimin e asaj që është thyer gjatë historisë njerëzore, por me rimarrjen e asaj që ka qenë gjithmonë aty – thelbin hyjnor të asaj që jemi me të vërtetë.
Feminiteti shpirtëror, nuk ka të bëjë me kundërshtimin e energjisë mashkullore. Sepse ajo nuk është fuqi që dominon ose kontrollon, por një fuqi që ushqen, shëron dhe krijon hapësirë për të lulëzuar edhe të tjerët. Femërorja dhe mashkullorja janë dy energji komplementare me njëra-tjetrën, janë si dy gjysma të një tërësie të plotë. Fuqia e vërtetë e feminitetit qëndron në aftësinë e saj për të vallëzuar me energjinë mashkullore, për ta përdorur urtësinë e saj intuitive për të udhëhequr dhe mbështetur, si dhe për të shprehur dashurinë dhe dhembshurinë në mënyrën që ushqen rritjen dhe transformimin.
Si të jetojmë në feminitetin shpirtëror?
Duke qenë autentik ndaj vetes dhe natyrës sonë. Duke dëgjuar intuitën tonë, duke lejuar që emocionet tona në prani të mendjes të na drejtojnë drejt rrugës së shpirtit. Duke përqafuar misteret e jetës dhe duke dorëzuar çdo tentim të mendjes për ta kontrolluar të ardhmen tonë. Duke u dorëzuar në momentin e tanishëm.
Ajo tani po ju pret… Në momentin që e përqafoni, ajo do t’ju çojë në vende që asnjëherë nuk kishit menduar se ekzistojnë.
0 Comments